Blog & Artikuj

Lajme dhe Njohuri

Qëndroni të informuar me lajmet, udhëzuesit dhe historitë më të fundit nga ekipi ynë.

Të gjitha
Udhëzues Praktik
Digjitalizimi i Administrimit
Ligji për Bashkëadministrimin
Pagesat & Financat
Problemet e Administrimit
Administrimi i Ndërtesave

15 artikuj

Tarifat e papaguara të administrimit dhe kufizimet që rrjedhin prej tyre
Administrimi i Ndërtesave
Ligji për Bashkëadministrimin
Tarifat e papaguara të administrimit dhe kufizimet që rrjedhin prej tyre

Pronarët e njësive në ndërtesa kanë detyrimin të paguajnë tarifën e administrimit. Kur detyrimet mbeten të pashlyera, përveç kamatëvonesave, mund të pengohet edhe shitja, dhurimi apo hipotekimi i pronës deri në shlyerjen e detyrimeve. Kjo masë zbatohet vetëm kur plotësohen kushtet ligjore e ndiqet procedura përkatëse. Ligji nr. 55/2025, “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, përcakton kur mund të ndërmerren këto hapa, përgjegjësitë e palëve dhe mënyrën si hiqet kufizimi pas pagesës. Për pronarët, administratorët dhe kompanitë administruese, njohja e këtyre rregullave ndihmon që detyrimet të trajtohen me informacion të saktë dhe përgjegjësi të qarta. Afatet e pagesës dhe kamatëvonesat Sipas nenit 33, asambleja e bashkëpronarëve përcakton mënyrën dhe afatin e pagesës së tarifës së administrimit. Nëse tarifa nuk paguhet brenda këtij afati, për çdo muaj vonesë shtohet një kamatë e barabartë me 30% të tarifës. Nga zbatimi i kamatës përjashtohen pronarët që gëzojnë status dhe mbrojtje të veçantë ligjore, sipas legjislacionit në fuqi. Njoftimi dhe verifikimi i detyrimeve të papaguara Kur tarifat e prapambetura dhe kamatat përkatëse nuk janë shlyer as në muajin e tretë, administratorët ose kompanitë administruese duhet të informojnë me shkrim kryesinë dhe asamblenë e bashkëpronarëve. Asambleja përfshin të gjithë pronarët e njësive në ndërtesë. Kryesia është grupi i zgjedhur nga asambleja, që përfaqëson bashkëpronarët dhe ushtron përgjegjësitë e përcaktuara në ligj. Sipas nenit 33, lista e bashkëpronarëve që nuk kanë paguar dhe shumat përkatëse afishohen në ambientet e ndërtesës. Kryesia verifikon dhe përcakton vlerën e tarifave të prapambetura dhe të kamatëvonesave. Çfarë nënkupton kufizimi për pronarët? Kufizimi shënohet në kartelën e pasurisë dhe pengon kryerjen e veprimeve juridike të përcaktuara në ligj. Prona e kufizuar nuk mund të tjetërsohet, të kalohet, të jepet në përdorim apo të ngarkohet me barrë dhe të drejta të tjera reale pa u vërtetuar shlyerja e detyrimeve. Këtu përfshihen veprime si shitja, dhurimi ose vendosja e hipotekës. Pronarët e ruajnë pronësinë mbi apartamentet. Vetë kjo masë nuk parashikon largimin nga banesa. Kufizimi shërben për sigurimin e detyrimeve të papaguara, duke penguar veprimet përkatëse me pasurinë deri në shlyerjen e tyre. Kushtet për kërkimin e kufizimit të pronës Përveç ndjekjes së detyrimeve monetare, ligji parashikon edhe mundësinë e regjistrimit të një kufizimi mbi pronën për sigurimin e detyrimit. Sipas nenit 34, administratorët ose kompanitë administruese mund ta kërkojnë këtë masë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës kur detyrimet për tarifën e administrimit dhe mirëmbajtjes kanë mbetur të pashlyera për të paktën 12 muaj ose kur detyrimi i papaguar arrin të paktën 0,5% të vlerës së njësisë. Mjafton të plotësohet njëri prej këtyre kushteve. Nëse detyrimi arrin pragun prej 0,5%, nuk kërkohet që të ketë kaluar njëkohësisht edhe periudha 12-mujore. Për një apartament me vlerë 10 milionë lekë, për shembull, ky prag përkon me 50.000 lekë detyrime të papaguara. Plotësimi i njërit prej kushteve mundëson nisjen e procedurës. Kufizimi nuk vendoset automatikisht dhe kërkon njoftim paraprak, vendim të kryesisë dhe paraqitjen e dokumentacionit në Kadastër. Afati tremujor për njoftimin mbi detyrimet e prapambetura nuk duhet ngatërruar me kushtet për kërkimin e kufizimit të pronës. Njoftimi dhe vendimmarrja për kufizim Njoftimi duhet të përcaktojë pronarët që kanë detyrime të papaguara, shumën përkatëse dhe pronën që propozohet të kufizohet. Njoftimi duhet të sqarojë gjithashtu se vendimi për kufizimin merret nga kryesia me shumicë të cilësuar të anëtarëve, ndërsa administratorët ose kompanitë administruese autorizohen të paraqesin kërkesën në Kadastër. Dokumentacioni shoqërues përfshin vendimin e miratuar, provat që vërtetojnë vlerën e detyrimit të papaguar dhe vërtetimin e identitetit të administratorëve ose kompanive administruese. Sipas nenit 34, kufizimi regjistrohet brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës, dokumentacionit dhe kryerja e pagesës së tarifave kadastrale. Pagesa e tarifës për apartamentet që nuk përdoren Detyrimi për pagesën e tarifës së administrimit mbetet edhe kur pronarët nuk banojnë në apartamentet e tyre. Neni 11 parashikon pagesën edhe kur njësitë janë dhënë me qira. Ndërsa neni 14 përcakton se pronarët e njësive të papërdorura kontribuojnë për administrimin dhe mirëmbajtjen e pronës së përbashkët njëlloj si bashkëpronarët e tjerë, përveç rasteve kur asambleja vendos ndryshe. Pra, mbajtja bosh e apartamenteve nuk sjell automatikisht përjashtim nga pagesa. Një ulje e tarifës apo trajtim i ndryshëm për këto njësi kërkon vendim të asamblesë së bashkëpronarëve. Heqja e kufizimeve pas shlyerjes së detyrimeve Pas shlyerjes së detyrimeve të akumuluara, pronarët mund të kërkojnë heqjen e kufizimit duke paraqitur vërtetimin bankar të pagesës. Sipas nenit 34, pika 5, për këtë hap nuk nevojitet një vendim i ri nga kryesia. Agjencia Shtetërore e Kadastrës duhet ta heqë kufizimin nga kartela e pasurisë brenda pesë ditëve nga depozitimi i vërtetimit të shlyerjes. Rëndësia e regjistrimit të detyrimeve dhe pagesave Për administratorët dhe kompanitë administruese, regjistrimi i detyrimeve dhe pagesave për çdo njësi është baza për verifikimin e shumave të papaguara. Afatet, pagesat e kryera dhe detyrimet e mbetura duhet të jenë të qarta, ndërsa njoftimet, vendimet dhe dokumentet përkatëse duhet të ruhen të organizuara. Kjo ndihmon në dhënien e sqarimeve të sakta për pronarët dhe në përgatitjen e dokumentacionit që kërkohet për procedurat ligjore. Komuniteti bashkon regjistrimin e detyrimeve, monitorimin e pagesave dhe organizimin e dokumenteve në një platformë të vetme. Administratorët dhe kompanitë administruese kanë informacionin e nevojshëm për të verifikuar pagesat, ndërsa rezidentët mund të njihen me detyrimet dhe kostot e shërbimeve përkatëse. Çdo hap ligjor mbetet i mbështetur në njoftimet, autorizimet dhe vendimet e kërkuara nga ligji. Ky artikull i referohet raportimit të SkyWeb.al të datës 23 tetor 2026 dhe mbështetet në ligjin nr. 55/2025, “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”.

24 tetor 2026
Një mënyrë përtej metodave manuale për organizimin e stafit dhe menaxhimin e punëve në administrimin e ndërtesave
Administrimi i Ndërtesave
Digjitalizimi i Administrimit
Një mënyrë përtej metodave manuale për organizimin e stafit dhe menaxhimin e punëve në administrimin e ndërtesave

Administrimi i ndërtesave kërkon bashkëpunim mes kompanive administruese, administratorëve dhe punonjësve për të koordinuar shërbimet dhe për t’iu përgjigjur nevojave të rezidentëve. Përveç punëve të planifikuara, pjesë e këtij procesi janë edhe problematikat e raportuara nga rezidentët, të cilat kërkojnë zgjidhje. Komuniteti Albania bashkon organizimin e stafit, planifikimin dhe dokumentimin e punëve në një platformë të vetme. Kompanitë administruese dhe administratorët mund të menaxhojnë detyrat, të ndjekin realizimin e tyre dhe të konsultojnë informacionin përkatës gjatë administrimit të një ose disa ndërtesave. Organizimi i stafit dhe përgjegjësive Kompanitë administruese dhe administratorët mund të organizojnë punët që duhen kryer dhe të caktojnë punonjësit përgjegjës për realizimin e tyre brenda platformës. Kur rezidentët raportojnë problematika, raportimet mund të lidhen me shërbimet përkatëse për zgjidhjen e problemeve. Punonjësit kanë akses te detyrat që u janë caktuar, ndërsa kompanitë administruese dhe administratorët mund të shohin shpërndarjen e punës mes stafit. Përditësimet mbi realizimin e detyrave lehtësojnë koordinimin, veçanërisht kur shërbimet zhvillohen njëkohësisht në disa ndërtesa. Planifikimi i punës dhe afateve Kompanitë administruese dhe administratorët mund të planifikojnë punët dhe shërbimet që duhen kryer në ndërtesa, duke vendosur afatet për realizimin e tyre. Për shërbimet që kryhen rregullisht, mund të caktohen paraprakisht datat dhe shpeshtësia e realizimit gjatë javës, muajit apo vitit. Rezidentët mund të informohen për shërbimet e planifikuara, duke reduktuar nevojën për kërkesa individuale të përsëritura për informacion. Gjatë realizimit të punëve, platforma mundëson ndjekjen e ecurisë sipas afateve të vendosura dhe identifikimin e punëve që janë ende në proces ose kanë kaluar afatin. Dokumentimi i punës dhe kostove Për çdo shërbim, Komuniteti Albania ofron një panel ku mund të regjistrohen të dhënat përkatëse dhe kostot e realizimit. Punonjësit mund të dokumentojnë punën e kryer përmes evidencave, të cilat kompanitë administruese dhe administratorët mund t’i konsultojnë për të verifikuar realizimin e shërbimit. I gjithë informacioni ruhet në historikun e platformës dhe mbetet i aksesueshëm sa herë nevojitet. Historiku është veçanërisht i dobishëm kur një problematikë shfaqet përsëri, pasi mundëson shqyrtimin e zgjidhjes së aplikuar dhe vlerësimin e një qasjeje tjetër nëse është e nevojshme. Në këtë mënyrë, informacioni i dokumentuar ndihmon në marrjen e vendimeve për trajtimin e problematikave të ngjashme. Organizimi i stafit, planifikimi dhe dokumentimi i punëve janë pjesë të ndërlidhura të administrimit të ndërtesave. Komuniteti Albania i integron këto procese në një platformë të vetme, duke lehtësuar bashkëpunimin mes kompanive administruese, administratorëve dhe punonjësve, si dhe menaxhimin e shërbimeve në përputhje me nevojat e rezidentëve.

16 tetor 2026
Menaxhimi i problematikave të raportuara nga banorët, nga raportimi deri te zgjidhja përmes Komuniteti Albania
Administrimi i Ndërtesave
Problemet e Administrimit
Udhëzues Praktik
Menaxhimi i problematikave të raportuara nga banorët, nga raportimi deri te zgjidhja përmes Komuniteti Albania

Ritmi i shpejtë i jetës së sotme prek çdo individ, qofshin banorë që presin trajtimin e një problemi në ndërtesën e tyre, apo administratorë që përballen me raportime të shumta. Ndërsa koha kalon, banorët presin që raportimi i tyre të jetë marrë parasysh dhe problemi të zgjidhet brenda një afati të caktuar. Përballë këtyre pritshmërive qëndrojnë administratorët, përgjegjës për shërbime që ndikojnë drejtpërdrejt në përditshmërinë e banorëve. Krahas përgjegjësive të tjera që lidhen me administrimin e ndërtesave, ata duhet të përcaktojnë përparësitë e ndërhyrjeve, të caktojnë punonjësit dhe të ndjekin afatet.Me rritjen e ngarkesës së punës, rritet edhe mundësia për gabime dhe vonesa në trajtimin e problematikave. Për t’iu përgjigjur këtyre nevojave, Komuniteti ofron një mënyrë pune që lidh nevojën e banorëve për t’u informuar dhe për të gjetur zgjidhje me nevojën e administratorëve për të punuar me më shumë efikasitet.Në këtë proces përfshihen edhe punonjësit që kryejnë ndërhyrjet, ndërsa kompanitë administruese mund të ndjekin ecurinë e punës dhe të vazhdojnë të rriten duke ruajtur cilësinë e shërbimit. Por si trajtohet një problematikë brenda platformës, nga raportimi deri te përfundimi i punës? Raportimi i problematikave nga banorët Banorët mund të raportojnë problematikat e ndërtesës në panelin e tyre dhe të përcaktojnë prioritetin e trajtimit. Informacioni i raportuar ndihmon administratorët të vlerësojnë situatën dhe të planifikojnë ndërhyrjen e nevojshme. Gjatë trajtimit, banorët mund të ndjekin ecurinë në platformë dhe njoftohen automatikisht për çdo përditësim mbi trajtimin e problematikës. Komentet e administratorëve japin sqarime për ndërhyrjen, pa pasur nevojë që banorët të kërkojnë vazhdimisht informacion. Organizimi i ndërhyrjeve nga administratorët Administratorët njoftohen për problematikat e raportuara dhe shqyrtojnë informacionin për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme. Organizimi i punës përfshin përcaktimin e përgjegjësive të punonjësve dhe afateve të kryerjes së detyrave, sipas nevojave të secilës problematikë. Gjatë ndërhyrjeve, administratorët ndjekin ecurinë e punës dhe mbajnë banorët të informuar për veprimet që po ndërmerren për zgjidhjen e problematikës. Banorët njoftohen automatikisht për çdo përditësim gjatë trajtimit. Kompanitë administruese kanë akses te të dhënat për detyrat e caktuara, afatet dhe ecurinë e punëve. Ky informacion ndihmon kompanitë dhe administratorët të koordinojnë punonjësit dhe të dallojnë cilat punë kërkojnë vëmendje për të përfunduar në kohë. Informimi i banorëve gjatë trajtimit Njoftimet automatike i mbajnë banorët të informuar gjatë trajtimit të problematikës, pa pasur nevojë të kontaktojnë vazhdimisht administratorët për të marrë përgjigje. Sa herë që administratorët përditësojnë ecurinë, informacioni u përcillet banorëve në platformë. Kështu, komunikimi bëhet më i drejtpërdrejtë dhe reduktohen kërkesat e përsëritura për informacion. Dokumentimi i punëve të kryera Pas përfundimit të ndërhyrjeve, dokumentimi i punëve dhe kostove krijon një historik që ndihmon në ndjekjen e shpenzimeve dhe planifikimin e mirëmbajtjes. Ky informacion u shërben administratorëve dhe kompanive administruese edhe kur problematikat përsëriten ose nevojiten ndërhyrje të tjera. Vlera e këtij procesi qëndron te mënyra si u përgjigjet nevojave të secilës palë. Banorët duhet të kuptojnë se raportimet po trajtohen, të marrin informacionin e nevojshëm dhe shërbimin e duhur. Administratorët kanë nevojë të organizojnë punën, të ndjekin përgjegjësitë dhe të koordinojnë ndërhyrjet me më shumë efikasitet. Punonjësit, që kryejnë ndërhyrjet, kanë detyra të përcaktuara dhe informacionin e nevojshëm për punën që u është caktuar. Kjo i ndihmon të kuptojnë çfarë kërkohet dhe të bashkëpunojnë më lehtë me administratorët.Për kompanitë administruese, informacioni mbi ecurinë e detyrave, ndërhyrjet e realizuara dhe kostot përkatëse ndihmon në ruajtjen e cilësisë së shërbimit gjatë zgjerimit të aktivitetit. Komuniteti është krijuar për të mundësuar komunikimin dhe bashkëpunimin mes këtyre palëve për një mision të përbashkët, ofrimin e një shërbimi që u përgjigjet nevojave të banorëve.

16 tetor 2026
Roli i inventarit të pajisjeve të ndërtesës në planifikimin e mirëmbajtjes dhe kontrollin e kostove
Administrimi i Ndërtesave
Problemet e Administrimit
Digjitalizimi i Administrimit
Roli i inventarit të pajisjeve të ndërtesës në planifikimin e mirëmbajtjes dhe kontrollin e kostove

Identifikimi i ndërhyrjeve të përsëritura Regjistrimi i ndërhyrjeve të kryera në pajisjet e ndërtesës krijon një historik që tregon kur janë shfaqur problematikat dhe si janë trajtuar. Kur e njëjta situatë përsëritet, historiku ndihmon për të përcaktuar çfarë ndërhyrjesh janë kryer në secilin rast. Këto të dhëna ndihmojnë për të kuptuar natyrën dhe shkaqet e rasteve të përsëritura dhe krijojnë një bazë informacioni mbi gjendjen dhe mirëmbajtjen e pajisjeve. Parashikimi i nevojave të ardhshme për mirëmbajtjen e ndërtesës Historiku i krijuar me kalimin e kohës mund të përdoret për të parashikuar nevojat e ardhshme për mirëmbajtje. Shpeshtësia dhe koha e ndërhyrjeve të mëparshme mund të tregojnë se cilat pajisje kërkojnë vëmendje periodike dhe kur mund të lindë nevoja për një ndërhyrje të re. Në këtë mënyrë, mirëmbajtja mund të organizohet përpara se një situatë të kërkojë një riparim më të komplikuar, duke mundësuar një qasje më proaktive ndaj menaxhimit të pajisjeve të ndërtesës. Vlerësimi mes riparimit dhe zëvendësimit Një pajisje që kërkon vazhdimisht riparime mund të kthehet me kalimin e kohës në një shpenzim të përsëritur për ndërtesën. Në raste të tilla, përsëritja e ndërhyrjeve dhe kostot përkatëse mund të shërbejnë si pikë referimi për të vlerësuar nëse vazhdimi i riparimeve është i arsyeshëm apo nëse duhet marrë në konsideratë zëvendësimi i pajisjes. Kontrolli i kostove të mirëmbajtjes dhe planifikimi i buxhetit Dokumentimi i shpenzimeve të ndërtesës mundëson ndjekjen e kostove të mirëmbajtjes me kalimin e kohës. Kjo ndihmon për të evidentuar se ku janë përqendruar shpenzimet dhe cilat ndërhyrje kanë krijuar kosto të përsëritura. Informacioni i regjistruar mund të shërbejë më pas si referencë për përcaktimin e fondeve që mund të nevojiten në periudhat e ardhshme, duke marrë në konsideratë kostot e mëparshme, nevojat periodike dhe ndërhyrjet e parashikuara. Në këtë mënyrë, planifikimi i buxhetit lidhet me shpenzimet e dokumentuara dhe nevojat e evidentuara të ndërtesës. Regjistrimi dhe organizimi i informacionit mbi pajisjet krijon një bazë të dhënash që mund të përdoret përgjatë gjithë procesit të mirëmbajtjes. Nga identifikimi i rasteve të përsëritura deri te planifikimi i ndërhyrjeve dhe vlerësimi i kostove, informacioni i dokumentuar krijon vazhdimësi në mënyrën si ndiqen nevojat e ndërtesës dhe si merren vendimet për mirëmbajtjen.

16 tetor 2026
Vazhdimësia e administrimit përtej ndryshimit të administratorit
Problemet e Administrimit
Digjitalizimi i Administrimit
Vazhdimësia e administrimit përtej ndryshimit të administratorit

Shpesh e marrim të mirëqenë se pagesat e kryera, faturat, kontratat dhe dokumentet që lidhen me pronën janë regjistruar diku. Kur na nevojitet një mandat pagese, një kopje kontrate ose informacion për një shpenzim të mëparshëm, i drejtohemi administratorit me mirëbesimin se të dhënat janë ruajtur dhe mund të verifikohen. Administratori mban një pjesë të rëndësishme të historikut të ndërtesës, nga dokumentacioni financiar deri te çështjet që janë trajtuar ose vazhdojnë të jenë të hapura. Ky informacion mund të nevojitet në çdo moment dhe duhet të mbetet i aksesueshëm pavarësisht ndryshimeve në administrim. Transferimi i informacionit dhe përgjegjësive te administratori pasardhës Kur administratori largohet nga detyra, informacioni i krijuar gjatë periudhës së administrimit duhet t’i kalojë personit që merr përgjegjësinë. Ky transferim nuk përfshin vetëm dorëzimin e dokumenteve, por edhe njohjen me çështjet që vazhdojnë të jenë aktive dhe me veprimet e kryera deri në atë moment. Megjithatë, administratori i ri nuk e gjen gjithmonë informacionin në një formë të plotë dhe të kuptueshme. Komunikimet mund të jenë zhvilluar nga numri privat i administratorit të mëparshëm, pagesat mund të jenë regjistruar në tabela të ndryshme, ndërsa dokumentet mund të jenë ruajtur në dosje fizike ose në pajisje ku nuk ka më akses. Edhe kur materialet dorëzohen, mënyra e ndryshme e emërtimit dhe organizimit të tyre e vështirëson dallimin mes informacionit të përditësuar dhe dokumenteve që nuk janë më të vlefshme. Komunikimet e shpërndara në disa aplikacione Kur të dhënat dhe dokumentet ruhen në aplikacione ose skedarë të ndryshëm, pas ndryshimit në administrim ato duhet të mblidhen dhe të verifikohen një nga një. Në disa raste, nuk dihet ku ndodhet informacioni i nevojshëm, kush e ka ruajtur apo cili version i dokumentit është përditësuar së fundmi. Mund të dihet se ekziston një problematikë apo se është kryer një pagesë, por të mungojnë të dhënat që tregojnë çfarë është bërë më parë. Si rezultat, disa çështje duhet të verifikohen përsëri, ndërsa rezidentëve mund t’u kërkohet të paraqesin dokumente ose konfirmime që i kanë dorëzuar më herët. Kjo vështirësi bëhet më e dukshme në ndërtesat me shumë njësi, ku çdo muaj shtohen pagesa, fatura dhe dokumente të reja që duhet të ruhen dhe të përditësohen. Rëndësia e dokumentimit për verifikimin e pagesave Rëndësia e kësaj teme bëhet më e dukshme kur lind nevoja të verifikohet një pagesë ose një detyrim i mëparshëm. Kur regjistrimi përkatës nuk është i disponueshëm, rezidentit mund t’i kërkohet të provojë se pagesa është kryer, edhe pse dokumentimi i saj duhet të jetë pjesë e administrimit.Pa të dhëna të verifikueshme, lind pasiguri mbi detyrimet dhe mund të kërkohet përsëritja e një pagese të kryer më parë. Akses në të dhënat e ndërtesës për vazhdimësinë e administrimit Pagesat, dokumentet dhe çështjet e trajtuara më parë mbeten të aksesueshme edhe pas ndryshimit në administrim. Komuniteti i regjistron këto të dhëna në platformë, në mënyrë që kalimi i përgjegjësive administrative të mbështetet mbi informacionin ekzistues.

16 tetor 2026
Si ndikon rritja e numrit të ndërtesave në organizimin dhe koordinimin e administrimit
Administrimi i Ndërtesave
Digjitalizimi i Administrimit
Si ndikon rritja e numrit të ndërtesave në organizimin dhe koordinimin e administrimit

Rritja e numrit të ndërtesave në administrim sjell njëkohësisht më shumë procese, përgjegjësi dhe informacion për t’u menaxhuar. Një strukturë që funksionon për një numër të kufizuar ndërtesash mund të bëhet më e vështirë për t’u koordinuar ndërsa aktiviteti zgjerohet. Në këtë fazë, organizimi i brendshëm dhe mënyra se si informacioni qarkullon mes stafit ndikojnë drejtpërdrejt në koherencën e administrimit. Komuniteti krijon një strukturë të përbashkët për menaxhimin e këtyre proceseve, duke mundësuar që zgjerimi të mbështetet nga një administrim i koordinuar dhe i qëndrueshëm. Koordinimi i stafit dhe menaxhimi I detyrave Me rritjen e numrit të ndërtesave, shtohen edhe detyrat që duhet të ndiqen paralelisht nga stafi i përfshirë në administrimin dhe funksionimin e ndërtesave. Në këtë fazë, koordinimi kërkon një ndarje të qartë të punës dhe një mënyrë të përbashkët për të ndjekur çfarë është përfunduar dhe çfarë mbetet ende për t’u realizuar. Komuniteti ndihmon në organizimin e këtyre përgjegjësive duke e përqendruar administrimin në një platformë të vetme, ku secili anëtar i stafit mund të ndjekë detyrat që i janë caktuar. Në këtë mënyrë, zgjerimi i aktivitetit nuk e vështirëson bashkëpunimin dhe koordinimin mes stafit. Shpërndarja e përgjegjësive ndërmjet ndërtesave Jo çdo ndërtesë kërkon të njëjtën vëmendje në të njëjtin moment. Problematikat, ndërhyrjet dhe detyrimet ndryshojnë sipas situatës, ndaj përcaktimi i prioriteteve bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm me rritjen e numrit të ndërtesave. Komuniteti mundëson organizimin e detyrave sipas ndërtesës dhe përcaktimin e personave përgjegjës për ndjekjen e tyre. Kjo krijon një ndarje më të qartë të përgjegjësive dhe ndihmon stafin të përqendrohet aty ku nevojitet më shumë vëmendje. Monitorimi i ecurisë përmes informacionit të centralizuar Kur administrimi përfshin disa ndërtesa, informacioni i shpërndarë në mesazhe, dokumente apo kanale të ndryshme e vështirëson ndjekjen e punës në vazhdimësi. Komuniteti mbledh në një hapësirë të përbashkët informacionin mbi problematikat, ndërhyrjet, dokumentacionin dhe të dhënat e tjera të administrimit. Kështu, ecuria e punës mund të ndiqet nga një platformë e vetme, pa qenë nevoja që informacioni të kërkohet dhe të rindërtohet sa herë që nevojitet. Kjo ndihmon në ruajtjen e një pasqyre të plotë të administrimit edhe kur volumi i aktivitetit rritet. Mbikëqyrja e aktivitetit në tërësi Zgjerimi i numrit të ndërtesave kërkon që menaxhimi të ketë një pamje të plotë të aktivitetit, jo vetëm informacion të veçuar për secilën prej tyre. Përmes Komunitetit, ecuria e punës mund të mbikëqyret në mënyrë të centralizuar, duke evidentuar detyrat, përgjegjësitë dhe çështjet që kërkojnë vëmendje. Kjo i jep menaxhimit bazën e nevojshme për të vlerësuar situatën dhe për të marrë vendime mbi organizimin e mëtejshëm. Në këtë mënyrë, shtimi i ndërtesave mund të shoqërohet me rritjen e aktivitetit pa humbur kontrollin mbi administrimin. Administrimi i një numri gjithnjë e më të madh ndërtesash kërkon që çdo përgjegjësi të mbetet e përcaktuar dhe çdo informacion i nevojshëm të jetë i disponueshëm në vazhdimësi. Komuniteti krijon kushtet që kjo rritje të menaxhohet përmes një organizimi të unifikuar, ku stafi dhe menaxhimi kanë një bazë të përbashkët për ndjekjen e aktivitetit. Kështu, zgjerimi mund të përballohet pa cenuar koherencën dhe qëndrueshmërinë e administrimit.

13 gusht 2026
Faqja 1 nga 3

Komuniteti, platforma digjitale që modernizon administrimin e pronave dhe ndërtesave.

Efikasitet, transparencë dhe përvojë e përmirësuar për të gjitha palët e përfshira.

Rrjetet sociale
Shkarkoni Aplikacionin
Ministria e Ekonomisë dhe InovacionitStartup Albania
Mbështetur nga Grant 2026Platforma Komuniteti realizohet me mbështetjen financiare të Qeverisë Shqiptare përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, në kuadër të skemës Grant 2026, dhe zbatohet nga Agjencia Innovation4Albania.